Mosdekretimi i Gent Cakajt në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme rikthen përplasjen e vjetër e të re Rama-Meta. Presidenti tregon “forcën” duke treguar se askush nuk e shantazhon, Rama nis akuzat e forta politike. A ishte përplasja Rama-Meta një ndasi për çështjen e ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi? Loja me “atdhetarizmin” dhe “konstitucionalizmin” rikthen në betejën e dimrit dy big-ët…
Nga Sebi Alla
Kur Ilir Meta në mbrëmjen e 28 prillit 2017 u zgjodh President i Republikës, kryeministri Edi Rama rrahu shuplakat e shfaqi ndjenjë çlirimi, pasi sipas tij siguroi dy fitore; LSI do futej në zgjedhjet parlamentare (që indirekt sfumonte bojkotin e premtuar të PD-së) dhe Meta do degdisej për “azil politik” në presidencë. Një vit më vonë, Rama po mendohet gjatë nëse bëri zgjedhjen e duhur, pasi Meta po kthehet në një personazh big i politikës, me mbështetje të fortë institucionale. Kreu i shtetit në mesditën e së enjtes tronditi fort qeverinë kur nuk dekretoi në detyrë ministrin e ri të Europës dhe Punët e Jashtme Genti Cakajn. Tri motivet e mosdekretimit ishin bindëse për sa u përket referimeve ligjore e kushtetuese, çka i rriti kredencialet Metës, ndërsa kryeministri ende nuk është tërhequr, duke hedhur në treg ilaçin e vjetër të konfliktit dhe deklaratave të ashpra. Peshën e postit të ministrit të Jashtëm u gjykua nga Rama se mund ta mbanin shpatullat e 28-vjeçarit Genti Cakaj, por më shumë se çështja moshe, ndarja mes Ramës dhe Metës, të paktën për koperturë, lidhet edhe me çështjen e Kosovës dhe vetë Ballkanit në përgjithësi. Pak muaj më parë, nën çiltërsi politike, Cakaj shprehej në favor të korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, madje kjo ishte edhe si rikonturim i gjithë Ballkanit Perëndimor. “Këto deklarata të rrezikshme të z Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe më gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian”, argumentoi Meta në arsyet për mosdekretimin e Cakajt.
***
Ngjan se shkaku kryesor, përtej përplasjes së kahershme, është qëndrimi i presidentit Meta për çështjen e mosndryshimit të kufijve në Ballkan dhe në sinkron me Metën është shfaqur kohë më parë edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati (i shkarkuar nga Rama, por që mbahet ende në detyrë pasi Meta nuk ka dekretuar shkarkimin). Presidenti Meta dhe ministri Bushati nuk e mbështesin opsionin e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, duke qenë kështu në të njëjtën linjë me qëndrimin zyrtar të Gjermanisë, e artikuluar qartësisht nga kancelarja Angela Merkel. Kur në këtë rast thuhet Gjermani, pas është edhe qëndrimi i vetë BE-së, ndaj në këtë përplasje faktorësh të rëndësishëm ndërkombëtarë, nuk mund të zgjidheshin me 28-vjeçarin të lindur në Prishtinë, por banues në Tiranë dhe prej disa kohësh këshilltar i kryeministrit e më pas zëvendësministër i Jashtëm. Mosdekretimi i Cakajt në krye të Ministrisë së Jashtme është mbështetur edhe nga një pjesë e madhe e politikës kosovare, që mbesin të palëkundur në qëndrimet e tyre kundër ndryshimit të kufijve. Kryeministri Edi Rama është treguar disi i përmbajtur për sa i përket ndryshimit ose jo të kufijve, por ka lënë të kuptohet se është pro marrëveshjeve Kosovë-Serbi, nëse palët arrijnë dakordësinë edhe për korrigjim kufijsh. Në leximet më të ftohta, mendohet se Rama këmbënguli për emrin e Cakajt (jo vetëm se kishte lexuar shumë libra), por pikërisht për shkak të qëndrimeve që do të mbante, kryesisht për marrëveshjen Kosovë-Serbi, me opsionin e korrigjimit të kufijve. Në një lloj mënyre ministër i Jashtëm de facto do ishte vetë Rama, ndonëse si emër do përfaqësohej në letra nga Genti Cakaj. Presidenti Ilir Meta, kishte renditur edhe të tjera arsye kundër kandidaturës së Cakajt veç mungesës së eksperiencës, gjeti edhe një problem serioz, ku Cakaj kishte punuar si zëvendësministër i Jashtëm pa certifikatë sigurie. Të gjitha motivet e presidentit u shumëzuan me zero nga kryeministri Edi Rama që vendimin e ish-aleatit të tij qeverisës në mandatin 2013-2017 e konsideroi një vegël opozitare.
***
“Argumentat e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin”, shkroi Rama, ndërsa në një takim me diplomatë vendës e të huaj, kryeministri sfidoi teksa nënkuptoi se Cakaj do ishte ministër, me apo pa pëlqimin e presidentit. “Nuk e kam zgjedhur Gent Cakën as si kosovar dhe as si i ri. Ai nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan. Dua ta bëj të qartë se Shqipëria e mbështet dialogun dhe inkurajon marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të garantohet nga SHBA dhe BE. Të tjerat janë fukarallëk mendjesh dhe maskarallëk”, -tha Rama. Nata e së enjtes kaloi e qetë për Metën, duke mos iu kundërvënë flakë për flakë në luftën në rrjetet sociale që nisi Rama. Një mesazh të qartë që krahas mbrojtjes së institucionit që drejton ishte edhe betejë e pastër politike Meta e dha paraditen e së premtes. “Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë presidentit për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!”, shkruan në Facebook, presidenti Ilir Meta. E ndarë në pjesë frazash, lexohet qartë që Meta mbahet në arsyetimet që refuzoi Cakajn që sipas tij lidhet me sigurinë kombëtare të vendit, zbatimin e Kushtetutës dhe interesit kombëtar. Motive të mjaftueshme për të nxjerrë në pah ndjenjat “patriotike” të elitës politike shqiptare, që në situata të tilla secili merr flamurin dhe flitet për atdhedashuri. E tillë ishte edhe lëvizja e Ramës ku veç të tjerash i kërkoi edhe “falje Kosovës”, për mosdekretimin e Cakajt nga ana e Metës.
***
Shpotitjet nëpërmjet mesazheve publike pritet të vijojnë garantueshëm edhe në ditët në vijim, ndërsa kurrkush nuk ka zotësinë të japë përgjigjen thelbësore: A ka atribut kushtetues presidenti të refuzojë kandidaturën e një ministri? Përgjigje që nuk do merret kurrë, për aq kohë sa vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe ashtu sikurse po shkon procesi i vettingut, dita që kushtetuesja të formohet duket gjithnjë e më larg. Deri atëherë debatet, përplasjet, konfliktualiteti dhe akuzat politike, parimore apo edhe personale mes politikës, do jenë të garantuar në kallamishten e krijuar prej tyre në afër tri dekada. Në vetëm një vit në krye të presidencës Meta ka mundur të lërë shenjë, duke e shprehur qartësisht se ai post nuk është honorific, por në mungesë edhe të Gjykatës Kushtetuese po bën filtrin që pengon disi qeverinë në nisma të cilat interpretohen si kapje pushteti e shkelje kushtetuese. Vetë Rama, qoftë edhe për ego, nuk do tërhiqet nga kandidatura e Cakajt, të paktën për aq kohë sa palët të mbajnë presionin. Të dy personazhet kanë dalë të vetëm në shesh në betejën epike që do mbyllet me një “kurban”. Meta apo Rama?
“Presidenti kthen një ministër kur mund të vërë në rrezik sovranitetin kombëtar”
Fitim Zekthi, analist pedagog
Presidenti Ilir Meta me mosdekretimin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme Genti Cakaj, të propozuar nga kryeministri Rama, ka rikthyer edhe një herë përplasjen Rama-Meta. Ajo që po ndodh është mbi “parimet” institucionale në ndarjen e pushteteve, (Presidencë-Qeveri), apo një konflikt i vjetër dhe i ri personal mes dy personazheve politike?
Duhet të pranojmë që në zhvillime të kësaj natyre nuk mjafton kurrë ndjesia e konfliktit të vjetër, inati, zemërimi apo interesi i ndryshëm politik. Bëhet fjalë për një ngjarje mjaft të rëndësishme e cila mbahet në këmbë nga një fakt material. Ky fakt material është e drejta e presidentit të republikës për të shqyrtuar kandidaturat, para se t’i miratojë, është mospajisja me certifikatë sigurie e kandidatit për ministër për 7 muaj kur ligji e kërkonte dhe është qëndrimi i mbajtur nga kandidati për ministër për ndryshimin e mundshëm të kufirit të Kosovës me Serbinë. Në gjykimin tim, presidenti i republikës mund të kthejë një ministër vetëm në rastet kur kandidati shihet si person që mund të vërë në rrezik sovranitetin kombëtar dhe rendin kushtetues. Këto janë arsyet e vetme për të cilat Kushtetuta e lejon presidentin për të mos miratuar një ministër. Për arsye të tjera, për çështje të ideologjisë politike, për çështje të programit për mjedisin, për taksat, për infrastrukturën apo rendin publik etj., presidenti nuk ka asnjë të drejtë t’i kthejë mbrapsht. Rasti ynë, pra mosmiratimi i kandidatit për ministër të Jashtëm është i tillë që e vendos pozitën e Presidentit të Republikës në binarë të arsyeshëm kushtetues. Nuk e di në ç’masë ky qëndrim në përputhje me Kushtetutën është pasojë e vetëdijes institucionale të presidentit dhe nuk e di në ç’masë ky qëndrim në përputhje me Kushtetutën është thjesht shprehje e konfliktit të vjetër të Ramës me Metën. Kjo nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka vetëm qenia e qëndrimi dhe e vendimit në përputhje me kushtetutën. Nuk mund të hyjmë dhe as nuk duhet të hyjmë në brendësi të shtysave sepse asnjëherë nuk do të bëjmë vlerësimin e drejtë.
Si do e konsideronit refuzimin e kandidaturës së Cakajt nga ana e Metës dhe a mund të ketë paralelizëm me “precedentin Lleshaj” pak kohë më parë? Për rastin Cakaj duket se Meta deri më tani ka fituar më shumë terren për shkak të reagimeve pozitive që pati për mosdekretimin edhe nga një pjesë e politikës së Kosovës, por edhe në disa gjetje ku Cakaj kishte punuar pa certifikatë sigurie dhe ishte artikulues i tezës për “korrigjime kufijsh” në Ballkanin Perëndimor?
Në pamje të parë duket si një përsëritje e asaj që ndodhi me kandidatin për ministër të Brendshëm Lleshaj. Por në substancë ka ndryshim. Fakti material që përmendëm më lart, në rastin e ministrit Lleshaj, ishte shumë më i zbehtë. Pra, e drejta e presidentit për të mbrojtur moscenimin e sovranitetit kombëtar dhe të rendit kushtetues nuk dukej se vihej në diskutim nga fakti që kandidati Lleshaj mbante ende gradën e gjeneralit, ndërkohë që ai nuk ishte fare pjesë e ushtrisë aktive. Megjithatë ajo çështje u zgjidh në mënyrë të arsyeshme me gjithë një zhurmë të zakonshme në kësi rastesh. Duhet thënë se ai rast prodhoi diçka të mirë. Presidenti mësoi institucionet dhe të gjithë të tjerët se ai ka të drejtë të mos miratojë një ministër.
Presidenti Meta po mundohet që të tregojë pjesën institucionale, por ditën e sotme (djeshme), debatet kanë kapërcyer nga një diskutim mbi parime morale e kushtetuese, në mirëfilltës politike, duke shtuar edhe më shumë zërat brenda mazhorancës për ta konsideruar Presidentin si “lider opozitar”. Kreu i shtetit në gjykimin tuaj po luan politikisht, apo po u përmbahet parimeve institucionale?
Për ta thënë edhe më shkoqur. Presidenti nuk është një institucion që rri në zyrë dhe firmos. Presidenti është një institucion me përgjegjësi të qarta për mbrojtjen e kushtetutës, mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe mbrojtjen e rendit kushtetues. Sigurisht nuk është i vetmi dhe ndoshta nuk është institucioni më i rëndësishëm që ka këto përgjegjësi por gjithsesi i ka këto përgjegjësi në një shkallë të thekshme. Tërë thelbi i sistemit tonë politik qëndron te ndarja dhe kufizimi i pushtetit. Pra, qeveria kontrollohet nga parlamenti dhe nga gjykatat sidomos ajo kushtetuese, parlamenti kontrollohet nga gjykata kushtetues dhe mekanizma të tjerë kushtetues përfshirë presidentin dhe gjykatat kontrollohen nga mënyra se si emërohen gjyqtarët, kontrollohen nga presidenti dhe nga parlamenti etj. Në kushtet e tashme, kur Gjykata Kushtetuese nuk është dhe kur kryeministri kontrollon qeverinë dhe parlamentin i vetëm, atëherë presidenti i ka edhe më të mëdha të drejtat për të kontrolluar kandidatët për ministra. Në literaturën e shkencave politike por edhe atë të konstitucionalizmit, thuhet rëndom dhe dendur se ligji apo kushtetuat kanë lexime që varen edhe nga rrethanat, kanë lexime që nisen nga qëllimi i ligjit dhe i kushtetutës etj. Pra presidenti duhet falënderuar që në raste si ky merr përsipër një rol të tillë shumë të vështirë dhe shumë të sulmueshëm siç është rasti i sulmit të kryeministrit apo i njerëzve të tjerë nga qeveria.
Si mund të zgjidhet ky ngërç i krijuar. A mund të ketë një tërheqje të Ramës për rastin Cakaj duke dërguar një tjetër kandidaturë, apo do këmbëngulë në të përzgjedhurin e tij duke e mbajtur si zëvendësministër, por me atributet e ministrit? Nëse kjo ndodh, a mund të futet në lojë ministri në detyrë Ditmir Bushati, i shkarkuar nga Rama, por jo me dekret presidencial? E parë përtej çështjes konkrete për ministrin e ri, a ka një moment vështirësie të Ramës ku nga njëra anë ka problemin e madh të protestave studentore dhe në tjetrën hapi “frontin e ri” me presidentin?
Nuk e di çdo të bëjë kryeministri. Logjika e drejtë dhe veprimi i duhur do të ishin dërgimi i një kandidati tjetër dhe gjithçka mbyllej. Por në luftën politike që nuk njeh kufij dhe që udhëhiqet nga zemërimi dhe epshi për të fituar me çdo kusht pritet të kemi këmbëngulje për të dërguar në Ministrinë e Jashtme kandidatin Cakaj. Në gjithë këtë histori humb vetëm qeverisja, humb vetëm interesi i njerëzve dhe humb edhe Gent Cakaj, i cili me thënë të drejtën u bë viktimë e interesave për pushtet dhe e makinacioneve perverse që bëhen për të mbrojtur këta interesa.
“Rama e zgjidhi vetë Metën, tani do duhet ‘t’i vuajë’ në heshtje vendimet presidenciale”
Mustafa Nano, analist, drejtues i emisionit “Provokacija”
Presidenti Ilir Meta me mosdekretimin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme Genti Cakaj, të propozuar nga kryeministri Rama, ka rikthyer edhe një herë përplasjen Rama-Meta. Ajo që po ndodh është mbi “parimet” institucionale në ndarjen e pushteteve, (Presidencë-Qeveri), apo një konflikt i vjetër dhe i ri personal mes dy personazheve politike?
Shikoni, ne i njohim mirë marrëdhëniet personale mes Edi Ramës e Ilir Metës, dhe këto marrëdhënie janë karakterizuar nga ulje e ngjitje, nga miqësia e armiqësia. Sot ato janë në pikën më të ulët. Ata të dy janë sot armiq si kurrë më parë me njëri-tjetrin. E prandaj, çdo vendim presidencial do ta vuajë komprometimin që i bën kjo rrethanë. Meta nuk mund të marrë vendime që janë të paafektueshme prej kësaj klime. Por edhe sikur të kishte fuqi të merrte vendime me logjikën më të virgjër të mundshme dhe me një disponim prej arbitri rigoroz, do të ishim ne të tjerët që do ta paragjykonim. Të njëjtën gjë mund të themi edhe lidhur me qëndrimet antipresidenciale të Ramës. Shkurt pra, përplasja Meta-Rama nuk ngrihet mbi “parime” institucionale. E nuk ka rëndësi kjo, do të thoja unë. Mund të kemi çdo lloj opinioni për vendimin e Metës, e prapëseprapë, ai mbetet një vendim presidencial, që duhet të respektohet. Genti Cakaj nuk mund të bëhet më ministër i jashtëm në këtë moment. Ndocave mund të mos u pëlqejë ky fakt, mund ta vlerësojnë vendimin si të gabuar, apo edhe të poshtër, mund të kenë edhe mendimin më të keq për Ilir Metën, por puna është që Presidenti e ka emrin Ilir Meta. Dhe pa ok-in e Presidentit askush nuk mund të bëhet ministër. Edhe unë, me që ra fjala, nuk e kam pëlqyer këtë vendim të Presidentit. Nuk kam parë asgjë të keqe te emërimi i Genti Cakajt në krye të diplomacisë shqiptare. Mund të ketë një problem te certifikata e tij e sigurisë, por ky është një problem procedural i kapërcyeshëm. Objeksionet e tjera, si mosha apo origjina krahinore, më duken të stisura. Dhe absurde. Siç është absurde, në fakt, edhe loja “patriotike” Edi Ramës. “Na fal Kosovë”, tha ai, pasi u mor vesh se Presidenti nuk do dekretonte Cakajn, a thua se ky i fundit ishte vullneti i Kosovës, thelbi i Kosovës, zemra e Kosovës, që u përbuz prej kreut të shtetit.
Si do e konsideronit refuzimin e kandidaturës së Cakajt nga ana e Metës dhe a mund të ketë paralelizëm me “precedentin Lleshaj” pak kohë më parë? Për rastin Cakaj duket se Meta deri më tani ka fituar më shumë terren për shkak të reagimeve pozitive që pati për mosdekretimin edhe nga një pjesë e politikës së Kosovës, por edhe në disa gjetje ku Cakaj kishte punuar pa certifikatë sigurie dhe ishte artikulues i tezës për “korrigjime kufijsh” në Ballkanin Perëndimor?
Po, është e vërtetë që Presidenti ka arsye procedurale për ta refuzuar Cakajn. Por e thashë pak më sipër, që janë yçkla procedurale, të cilat i merr parasysh kur ta ka qejfi e i shpërfill në rast të kundërt. Ose i kapërcen fët e fët, siç ndodhi me rastin “Lleshaj”. Nga ana tjetër është e vërtetë edhe që konsensusi kosovar anti Cakaj ka bërë punën e vet. Në mos tjetër, ky kor anti Cakaj në Prishtinë ka krijuar një klimë të caktuar, aq sa duket se të gjithë janë kundër kandidatit për ministër të jashtëm. Pa këtë kor, Meta nuk do guxonte të mos e dekretonte Cakajn. Dhe është kjo rrethanë që e bën rastin Cakaj të ndryshëm në thelb nga rasti Lleshaj.
Presidenti Meta po mundohet që të tregojë pjesën institucionale, por ditën e sotme (djeshme), debatet kanë kapërcyer nga një diskutim mbi parime morale e kushtetuese, në mirëfilltës politike, duke shtuar edhe më shumë zërat brenda mazhorancës për ta konsideruar Presidentin si “lider opozitar”. Kreu i shtetit në gjykimin tuaj po luan politikisht, apo po i përmbahet parimeve institucionale?
Nuk ka asnjë diskutim që Presidenti, ky President, luan politikisht. Kjo gjë dihej që në krye të herës, kur u zgjodh prej kësaj shumice. Ju kujtohet? Ai nuk u zgjodh si një njeri babaxhan, i shtruar, institucional, me prerje presidenciale. Ai u zgjodh me synimin për të hequr qafe një kundërshtar të rrezikshëm të Edi Ramës. Kështu që, lojërat politike të Ilir Metës në krye të Presidencës kanë qenë futur në preventiv prej atyre që e zgjodhën. E nëse ka një njeri që për këtë nuk ka gojë të ankohet, ky është vetë Edi Rama, i cili e orkestroi zgjedhjen e tij. Dhe vetë e votoi me qejf të madh. E për këtë arsye, ky i fundit do duhet “t’i vuajë” në heshtje vendimet presidenciale që nuk i pëlqejnë. Ishte ai që e nisi këtë konflikt të këtyre ditëve me fjalët “turp”, “skandal” etj., menjëherë pasi Meta bëri me dije refuzimin e kandidatit Cakaj për postin e ministrit të jashtëm. Pastaj, i tregoi Metës librat që nuk ka lexuar. Dhe kështu erdhëm te reagimi i Metës, në të cilin nuk kishte asgjë presidenciale. U duk se në këtë rast ai kish rikuperuar në masën 100% kryetarin e LSI-së gjatë fushatës së fundit elektorale. Sipas meje, kjo është një gjë e pafalshme. Kishim kohë, qysh prej periudhës 1992-1997, që nuk kishim parë të dilnin deklarata të tilla prej ndërtesës përballë Pallatit të Kongreseve.
Si mund të zgjidhet ky ngërç i krijuar. A mund të ketë një tërheqje të Ramës për rastin Cakaj duke dërguar një tjetër kandidaturë, apo do këmbëngulë në të përzgjedhurin e tij duke e mbajtur si zëvendësministër, por me atributet e ministrit? Nëse kjo ndodh, a mund të futet në lojë ministri në detyrë Ditmir Bushati, i shkarkuar nga Rama, por jo me dekret presidencial? E parë përtej çështjes konkrete për ministrin e ri, a ka një moment vështirësie të Ramës ku nga njëra anë ka problemin e madh të protestave studentore dhe në tjetrën hapi “frontin e ri” me presidentin?
Siç e thashë, rasti Cakaj, për mua, mund të quhet i mbyllur. Mund ta konsiderojmë të gabuar gjithë ditën vendimin e Presidentit, por ai duhet zbatuar. Asnjë ministër nuk mund të rrijë në zyrë pa bekimin e Presidentit. Në nenin 99 të Kushtetutës thuhet se “para fillimit të detyrës, ministri betohet para Presidentit të Republikës”. Kështu që askujt nuk duhet t’i shkojë në mendje ta mbajë Cakajn ministër me pahir. E them këtë, pasi dëgjova Ramën të thoshte se “më vjen keq që i ardhuri ynë nga Prishtina e ka nisur rrugëtimin e tij si ministër në pazakonshmëri”. Ai nuk ka nisur asnjë rrugë si ministër. Dhe ne nuk kemi pse të kemi një ministër “në pazakonshmëri”. Prandaj, Rama nuk ka rrugë tjetër, veçse të tërhiqet. Në këtë situatë do ishte me vend edhe një vendim i Cakajt për t’u tërhequr. Ky i fundit do ishte mirë ta bënte publike këtë tërheqje. Sa më shpejt. Mund të qëndrojë fare mirë si zv.ministër, por ndërkohë ne duam të dimë se cili do jetë ministri ynë i jashtëm. Rama duhet t’i japë zgjidhje këtij rebusi. Dhe zgjidhja nuk bëhet me logjikën se “do të bëhet kështu si them unë, Cakaj do të hyjë në zyrën e ministrit të Jashtëm”. Rama duhet të bindë veten se në këtë rast do të dalë fjala e Metës, dhe se kjo gjë nuk është ndonjë qamet i madh. Dhe besoj se kështu do të ndodhë. Ai nuk ka luksin “të bëjë si t’i teket” në këtë moment. Është shumë i izoluar. Është duke humbur terren në çdo pikëpamje. Ndoshta ai nuk e di këtë gjë. Ndonjëherë më duket in denial. Edhe qeverinë e re e bëri bash si një njeri in denial. Dhe kjo është shenjë e keqe. Ndonjë këshilltar duhet të bëhet i gjallë, dhe të marrë guximin t’i japë ndonjë këshillë. Unë vetë, sikur të isha në rrethin i tij, do tentoja t’i jepja ndonjë të shkundur, duke i thënë: “Hej amigo, Shqipëria po ndryshon; hiqe nga mendja se mund të bësh ç’të duash në këtë vend; hiqe nga mendja se mund ta drejtosh këtë vend me një tufë njerëzish me IQ të ulët që të vijnë pas avazit”. Dhe për sa i takon përplasjes me Presidentin, do t’i thoja: “Merre shtruar, nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme; refuzimi presidencial i një ministri është pjesë e lojës kushtetuese në këtë vend”.