Studentë nga fakultete të ndryshme të Tiranës kanë nisur zaptimin e godinave për të theksuar se kërkesat e tyre nuk përmbushen nga kompromisi që u ka ofruar atyre kryeministri Edi Rama.
Fakulteti i Shkencave Sociale të enjten pati hyrje-dalje të shumta studentësh, por ndryshe nga shpërndarja e zakonshme në klasa, ata qenë mbledhur në një sallë pranë hollit kryesor, ku së bashku me pedagogë, diskutonin për misionin e universitetit dhe problematikat aktuale të tij. Një banderolë ku shkruhet “bojkot” qëndron e varur në fasadën e fakultetit, për të sinjalizuar se mësimi ka ndaluar. Përmes zaptimit të godinave dhe moslejimit të vazhdimit të mësimit, studentët kërkojnë garanci se zëri i tyre do të dëgjohet dhe se tetë kërkesat e artikuluara do të përmbushen nga qeveria.
Ngujim tek Ekonomiku
Në ambientet e Fakultetit Ekonomik nën dritën e qirinjve, studentët kanë vendosur të nisin ngujimin në ambientet e fakulteteve. Në një deklaratë, ata u bënë thirrje të gjithë studentëve të bashkohen me nismën e tyre. “Pas shumë mbledhjeve të organizuara, ne si studentë të Fakultetit të Ekonomisë sot fillojmë ngujimin. Kjo është vendosur dhe ne kërkojmë që të bashkohen edhe universitetet e tjera. Ne kemi vendosur të qëndrojmë ditën dhe natën të ngujuar. Kjo formë nuk është kundër pedagogëve tanë. Qëllimi ynë është plotësimi i atyre tetë pikave. Gjithashtu, presim mbështetje nga të gjitha fakultetet e tjera me qëllim që kauza jonë të plotësohet sa më shpejt. Të përgjysmohen tarifat edhe për masterin”. Më herët, në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë mungonte energjia elektrike, e cila u ndërpre pak para nisjes së takimit. Studentët thanë se ndërprerja e energjisë nga OSHEE ishte e qëllimshme.
Fakultetet e tjera
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, studentë brohoritën “Shqipëria e studentëve, jo e maskarenjve”, ndërsa përzunë nga ndërtesa forca të Policisë së Shtetit, duke u kujtuar atyre se ligji për arsimin e lartë e ndalon praninë e policisë, pa një kërkesë zyrtare nga vetë fakulteti. Përgjatë ditëve të fundit te Shkencat e Natyrës, studentët protestues kanë ndërprerë përpjekjet për vazhdimin e mësimit nga disa pedagogë dhe një grusht studentësh, që kanë frekuentuar mësimin nga frika e mungesave, që do t’i penalizonin ata për marrjen e lëndëve. Studentët e Gjeologji-Minierave i mbushën korridoret me karrige dhe tavolina, duke sinjalizuar vendosmërinë e tyre se asnjëri nga ata nuk do të ulet në auditor pa plotësimin e kërkesave të tyre. Fakulteti i Drejtësisë, ai i Mjekësisë dhe studentë të Universitetit Politeknik qenë, gjithashtu, pjesë të zaptimeve të godinave.
Protesta
Revolta studentore, e cila nisi nga oborri i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës më 4 dhjetor prej kërkesës për anulimin e një VKM-je që përcaktonte kosto shtesë për provimet e mbartura, pati një përhapje masive në dy ditët që pasuan, duke çuar në një protestë disaditore para Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS). MAS u tërhoq shpejt nga VKM-ja që zemëroi studentët, por mijëra të rinjtë që dolën në rrugë denoncuan gjendjen e keqe të arsimit të lartë në vend dhe kërkuan reformim të tij përmbledhur në tetë pika. Që nga ajo kohë protestat nuk janë ndalur.